“Surpriza” për të burgosurin në Dubravë, si ra pre nëna e tij – futi drogën brenda pa e ditur – u zbulua nga oficierët
Y.H., i cili ndodhej në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese të Dubravës, në mars të këtij viti kishte kontaktuar me A.I., për t’i sjellur drogë brenda.
Ky i fundit së bashku me G.S., marrin një xhaketë (mont), brenda të cilit vendosin mariuhanë me peshë prej 43 gram dhe kokainë me peshën 1.07 gram, të cilën më pas e qepin dhe duke vepruar sipas sugjerimeve të Y.H., e thërrasin nënën e tij, të cilën e dërgojnë me veturë te djali i saj dhe e njëjta duke mos e ditur se çfarë ka brenda, hyn në Qendrën Korrektuese. Kështu përshkruhet ngjarja në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës, kundër Y.H., A.I., dhe G.S., të cilën e posedon Gazeta Express.
“…Unë se kam ditur se çka ka në ato rroba, sikur ta dija nuk do t’ia kisha dërguar kurrë…”, ka deklaruar në prokurori nëna e të pandehurit Y.H., e cila ka treguar se ishte telefonuar nga biri i saj për t’i marrë rroba nga disa shokë të tij.
Y.H., i cili ndodhej në vuajtje të dënimit ka deklaruar se kur ka kërkuar që t’i sillej droga kishte marrë përgjigjen e llojit “kam me ta ba një surprizë të mirë, e kam me ta pru”.
Si u përgatit skenari nga Y.H., për t’u zbuluar më pas nga oficerët korrektues – çfarë thuhet në aktakuzën e prokurorisë?
“Me datën 04.03.2023, në fsh. Dubravë K. Istogut, duke vepruar si bashkëkryerës, pa autorizim, me qëllim të shpërndarjes brenda Qendrës korrektuese të Dubravës, shpërndajnë substanca narkotike dhe atë narkotikun e llojit mariuhanë dhe kokainë, në atë mënyrë që, i pandehuri Y.H., gjendet në vuajtje të dënimit në Qendrën korrektuese të Dubravës dhe pasi paraprakisht kontakton me të pandehurin A.I., nga kjo qendër, i kërkon që t’i siguroj narkotikë brenda kësaj qendre”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përshkruhet se “I pandehuri A.I., së bashku me të pandehurin G.S., marrin një mont në të cilin brenda tij fusin narkotik të llojit mariuhan me peshë prej 43 gram dhe kokainë me peshën 1.07 gram, të cilën më pas e qepin dhe duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Yll, me datën 03.03.2023 e thërrasin nënën e këtij të fundit, të cilës të pandehurit me veturën Passat i’a dërgojnë montin e mbushur me narkotik dhe 50 euro me disa rroba tjera, të cilat i jap i pandehuri G.S., që t’i dërgoi të pandehurit Y.H.,, gjersa i pandehuri A.I., e voziste veturën, ashtu që dëshmitarja duke mos e ditur se çka ka brenda i’a dërgon ato rroba në këtë qendër dhe pasi i fut brenda, derisa po bisedonte me Y.H., hetohet nga oficerët korrektues”.
Prokuroria Themelore e Pejës, pretendon se me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se duke vepruar si bashkëkryerës kanë kryer vepër penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par. 2 lidhur me nenin 275 par. 1 nën par. 1.8 dhe lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Ndërsa, i pandehuri Y.H., akuzohet se ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 par. 1 lidhur me nenin 275 par. 1 nën par. 1.8 dhe nenin 28 të KPRK-së.
Nëna e Y.H., (tani në cilësinë e dëshmitares), ishte ndaluar në Qendrën korrektuese të Dubravës, ndërsa xhaketa ku ndodhej sasia e narkotikëve, e qepur, ishte kontrolluar në mënyrë të detajuar.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës, përshkruhet se A.I., e pranon këtë vepër penale duke thënë “…për narkotikun i cili është tentuar të futet në Dubravë unë jam kryesori për këtë çështje jam edhe fajtori….”.
Edhe Y.H., ka deklaruar se sasinë e narkotikut e kishte kërkuar për konsumim “…unë e pranoi këtë vepër penale më vjen keq për këtë që ka ndodhur, kam qenë në depresion, ju kërkoj falje unë thjesht e kam pas për konsum personal dhe nuk kam pas ndonjë qëllim tjetër…”.
Ai është shprehur “unë e kam thirr telefon dhe ja kam kërkuar do narkotik i kam thënë se kam nevojë e ai me tha kom me ta bo ni suprizë të mirë e kom me ta pru, unë po ashtu ja kam dhënë edhe numrin e nënës time G dhe i kam thënë thirr në telefon dhe thuaj se këto rroba janë për mua, unë e kam ditë që ka me më pru drogën por se kam ditë se ka me ma m’ shef në jelek, pra ne cilin vend”.
Ndërsa, G.S., e mohon të këtë vepër penale duke thënë “…se unë se kam ditë se çfarë ka brenda keses…”.
Të tre të përfshirët në këtë rast janë recidivistë.
Në aktakuzë theksohet se nga të dhënat e nxjerra rezulton se G.S., “është i dyshuar në 42 raste penale, 7 prej të cilave janë me aktgjykime fajësuese, në të cilat ka edhe raste me narkotikë, ku në dy raste i janë sekuestruar edhe narkotikë”.
Ndërsa, për A.I., nga informatat e nxjerra nga Policia e Kosovës, “rezulton se ka 46 raste të ndryshme penale i dyshuar, prej të cilave ka edhe vendimet të gjykatës për raste penale edhe me narkotikë, madje ka qenë edhe në vuajtje të dënimit për këso vepra penale”.
Edhe Y.H., rezulton të ketë raste të shumta penale si i dyshuar në Policinë e Kosovës dhe “në 52 raste rezulton të jetë si i dyshuar. Referuar kësaj data baze rezulton që i njëjti të ketë 7 vendime të gjykatës. Këtu ceket se ka raste edhe lidhur me veprat penale të nartkotikëve”.