Sulmohet seksualisht një 32-vjeçare në Kaçanik, i dyshuari e rrah pasi refuzoi marrëdhënie intime dhe ikë
Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale ndaj vajzave e grave në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Të dyshuarit në shumicën e rasteve janë persona të moshës madhore, të cilët shfrytëzojnë çfarë situate me qëllim keqpërdorimin e abuzimin e viktimave.
Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur të dielën në Kaçanik, ku një 32-vjeçare dyshohet se është sulmuar fizikisht dhe seksualisht nga një person.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjithçka nisi pasi viktima ishte duke pritur autobusin në magjistralen Kaçanik – Ferizaj dhe i dyshuari i ofroi ndihmë, duke e marrë për ta transportuar në destinacionin që kërkoi.
‘Ndihma’ që ia ofroi i dyshuari iu kthye në makth viktimës.
Teksa ishin në lëvizje, i dyshuari e ka devijuar rrugën dhe e ka futur në një rrugë që të çon në një fshat dhe aty e ka shfrytëzuar rastin, duke kërkuar nga viktima të kryejnë marrëdhënie seksuale.
Sipas të njëjtave burime, rezistenca e 32-vjeçares bëri që i dyshuari të zmbrapsej, por megjithatë i njëjti vazhdoi me veprimet e tij, duke e sulmuar seksualisht viktimën.
Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari edhe e ka sulmuar edhe fizikisht atë dhe e ka braktisur në mes të rrugës.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje për të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe për ta identifikuar të dyshuarin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti në drejtim të veprës penale “Sulm seksual”.