Sulmohet policja dhe avokati kosovar në mes të rrugës, katër persona ua zënë pritën me veturë

Zyrtarët policorë jo rrallëherë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme, që në shumicën e rasteve motivet lidhen edhe me punën e tyre zyrtare.

Ngjarje të tilla ndodhin gjatë kohës kur policët janë me uniformë, por edhe jashtë detyrës zyrtare.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një rast i tillë ka ndodhur edhe sot, në fshatin Llabjan të Novobërdës, ku një zyrtare policore dhe një avokat janë sulmuar fizikisht nga katër persona.

Sinjali mëson ekskluzivisht se policja dhe avokati (emra të njohur për redaksinë) janë ndalur papritmas teksa ishin duke lëvizur me veturë, kur katër të dyshuarit filluan sulmin fillimisht duke goditur veturën e më pas edhe ata.

Në bazë të informacioneve të para, për motive akoma të panjohura, të dyshuarit i kanë sulmuar fizikisht ata, duke përdorur edhe mjete të forta dhe për pasojë iu kanë shkaktuar lëndime trupore.

Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitet përkatëse janë vënë në lëvizje dhe kanë arritur t‘i prangosin të dyshuarit, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.

Ndaj tyre, me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Dëmtimi ose asgjësimi i pronës”.

Lexo edhe:  Dy persona gjenden pa shenja jete, një në Bjeshkët e Irzniqit e tjetri në Istog