Sulmohet Policia në ndeshjen e Ligës së Parë mes Vëllaznimit dhe Istogut
Jo rrallëherë jemi mësuar të shohim veprime të dhunshme dhe huligane të grupeve të tifozëve nëpër stadiumet e Kosovës. Kjo në vazhdimësi është vlerësuar si tejet shqetësuese, pasi prish imazhin e sportit në vend. Përveç përleshjeve mes grupeve, sulmeve në drejtim të futbollistëve e basketbollistëve të ekipeve të ndryshme, shpeshherë në raste të tilla janë përfshirë edhe vet ata, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur të dielën në stadiumin e qytetit të Gjakovës, ku ka pasur ndeshje futbollistike mes KF Vëllaznimit dhe Istogut.
Burime e Sinjalit kanë bërë me dije se këtë herë dikush dyshohet se ka sulmuar Policinë, teksa po intervenonte, ku për pasojë disa zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Ndryshe, këtë ndeshje e fitoi skuadra e Istogut me rezultat minimal 1-0, me një gol në fund të ndeshjes të realizuar nga skuadra mysafire.