Sulmohet në një lokal 55-vjeçari në Veri, dërgohet në Emergjencë
Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpeshherë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit.
Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete, incidente këto që eskalojnë edhe në përleshje brutale, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Leposaviq, ku një person ka përfunduar në spital me lëndime trupore, për shkak se dyshohet që ishte cak i një sulmi fizik.
Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije për Sinjalin se viktima është dërguar në Emergjencë me plagë në fytyrë dhe kishte nevojë për ndihmë mjekësore, pasi ishte rrahur derisa ishte në një kafeteri.
Bazuar në dëshminë e tij, derisa po qëndronte në një lokal, një person i panjohur për të e ka sulmuar fizikisht, duke e grushtuar.
Posa rasti është denoncuar edhe në Polici, ku një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, për të mbledhur më shumë informacione për incidentin që ka ndodhur.
Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në kapjen e të dyshuarit, teksa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Lëndim i lehtë trupor’.