Sulmohet brutalisht biçiklisti, një person i maskuar e godet me mjet të fortë dhe ikë
Përleshjet e shpeshta, sulmet e kërcënimet mes të rinjve janë një dukuri shqetësuese që po e rrezikon sigurinë publike.
Një rast i sulmit fizik ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate në Prizren dhe këtë herë viktimë është një 22-vjeçar, i cili ishte cak i një personi të maskuar që e zuri në pritë dhe e sulmoi.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë kohës kur i riu ishte duke lëvizur me biçikletë, kur papritmas një person i maskuar e ka sulmuar me mjet të fortë, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Sapo rasti është denoncuar në Polici, viktima ka dhënë dëshmi para hetuesve policorë, me ç’rast ka deklaruar se nuk ka telashe me askënd dhe nuk e din motivin e sulmit.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rast për vëprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.