Sulmi terrorist në Banjskë, Blinken paralajmëroi masa ndaj Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në një konferencë për shtyp më 29 shtator se kishte një bisedë telefonike “të gjatë” dhe “jo të lehtë” me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Reklama
Vuçiq tha gjithashtu se Blinken ka folur edhe për masat e mundshme, “nëse nuk sillemi siç duhet”.
Kjo bisedë mes Vuçiqit dhe Blinkenit vjen disa ditë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës.
Kosova fajëson Serbinë për këtë ngjarje.
“Gjëja për të cilën ramë dakord është se nevojitet shtensionimi, se nevojitet një rol dukshëm më i madh i KFOR-it”, tha Vuçiq, duke shtuar se do të dëshironte që roli i KFOR-it të ishte “ekskluziv, veçanërisht në veri” të Kosovës.
Më 29 shtator, NATO njoftoi se ka vendosur të rrisë numrin e trupave në Kosovë për shkak të tensioneve të shtuara në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje “të gjitha palëve që urgjentisht ta shtensionojnë [situatën]”.
Vuçiq po ashtu tha se ka mohuar “të pavërtetat për rritjen e gatishmërisë luftarake në shkallën më të lartë të Serbisë”, duke shtuar se ai nuk ka nënshkruar një vendim të tillë.
“Ne nuk u pajtuam për natyrën e asaj që ndodhi në Kosovë, veçanërisht për sovranitetin e Kosovës”, tha Vuçiq, duke përsëritur pretendimin e mëparshëm të zyrtarëve në Serbi se ka dëshmi se disa nga sulmuesit janë vrarë nga Policia e Kosovës pasi ishin dorëzuar.
Vuçiq deklaroi se Millan Radoiçiqi “do të duhet t’i përgjigjet” ftesës së organeve kompetente shtetërore.
Ky është reagimi i parë i Vuçiqit pasi Radoiçiqi mori përgjegjësi për organizimin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Në këtë sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërkaq në përleshje me Policinë u vranë edhe tre sulmues.