Sulmi me gurë ndaj 63-vjeçarit në Mitrovicë të Veriut, arrestohen tre të mitur

Tre të miturit që dyshohen se para dy ditësh sulmuan me gurë e kanosën një 63-vjeçar në Mitrovicë të Veriut, janë arrestuar më 01.10.2025 nga Policia e Kosovës.

Arrestimi e më pas lirimi i dy 15-vjeçarëve I.D dhe J.S si dhe 14-vjeçarit me iniciale V.M erdhi mbi dyshimet e bazuara se ata ishin të përfshirë në rastin e raportuar më 28.09.2025, pasi ankuesi kishte raportuar se ishte sulmuar fizikisht derisa po lëvizte në rrugën “Lola Ribar” me ç’rast të njëjtit gjithashtu kishin kanosur nipin e tij të mitur.

“Arrestimi i të miturve është realizuar në qytetin e Mitrovicës Veri, ndërsa ata janë intervistuar në bazë të procedurave ligjore. Me urdhër të prokurorit të shtetit, pas intervistimit, të njëjtit janë liruar, ndërsa ndaj tyre janë inicuar raste për veprat penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Kanosje’”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Se si ndodhi i incidenti i datës, 28.09.2025, Erduan Baliqi, shef i planifikimit në kuadër të operativit kishte dhënë detaje për KALLXO.com.

“Viktima ka qenë afër shkollës teknike duke qarkulluar me biçikletë. Në një moment ata persona e kanë gjuajtur me gurë dhe i kanë shkaktuar lëndime të lehta”- kishte thënë Baliqi.

Për këtë ngjarje njoftoi edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

Sipas tyre, personi ishte sulmuar me gurë dhe mjete të forta me ç’rast kishte marrë trajtim mjekësor.

Lexo edhe:  Eksperti Ridvan Tahiri mesazh ndaj policëve: Mos ki mëshirë ndaj atij që të do të vdekur, ti vlen më shumë se sa 100000000000 plaçkitës