​Stuhi të forta bore, në zonat e thella të Kukësit situata është kritike

Kukësi është përfshirë nga moti i keq, ku në njësinë administrative Shishtavec problemet janë të mëdha si pasojë e erërave të fuqishme dhe reshjeve intensive të borës.

Trashësia e borës ka arritur në 60 centimetra, në lartësinë mbi 800 metra mbi nivelin e detit. Ndërsa në qytetin e Kukësit nuk ka borë, por vetëm prezencë të reshjeve të shiut, një sinjal i mirë për furnizimin e liqenit të Fierzës, ujëmbledhësit më të madh hidroenergjetik në vend.

Bora ka shkaktuar probleme në zonat rurale, në Turaj, Tërshen, ndërsa fshatrat Kollovozë dhe Shtrezë, janë bllokuar nga bora.

Akset nacionale janë të hapura dhe të qarkullueshme, ndërsa firmat e mirëmbajtjes janë në terren.

Për sa i përket furnizimit me energji elektrike, shumë fshatra në qarkun e Kukësit vazhdojnë të qëndrojnë në errësirë si njësitë administrative Kalis dhe Grykë Çaj.

Ndërprerje të herë pas hershme të energjisë ka pasur në Topojan, Shishtavec e Zapod për shkak të erës së fortë, këputjes së telave dhe rrëzimit të shtyllave.

Grupet e OSHE-së janë në terren për të riparuar defektet. Fatmirësisht nuk ka raportime për emergjenca shëndetësorë.

Shtabi I Emergjencave Civile në prefekturën Kukës është në komunikim të vazhdueshëm me banorët e zonave të bllokuara. /Tch

Lexo edhe:  Lajm i mirë: Rënie rekord e çmimit të naftës