Sot tentativa e 24-të për konstituimin e Kuvendit, a do të vazhdojë ngërçi?

Sot do të bëhet përpjekja e 24’të për konstituimin e Kuvendit. E propozuara e Vetëvendosjes vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu. Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, mbi një muaj më parë. Bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë.

Deputetët do të mblidhen nesër në orën 10:30, në një tentativë tjetër për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit.

Sikurse në seancat e kaluara, edhe të enjten, PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, s’kanë propozuar anëtarë Komisioni për zgjedhjen me votim të fshehtë, për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, duke pamundësuar kështu vazhdimin tutje.

Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 55 deputetë, një votoi kundër, ndërsa abstenime nuk pati. Në mungesë të kuorumit, Kryesuesi Avni Dehari i ndërpreu punimet e seancës të së enjtes.

Partitë politike vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadën e krijuar. PDK dhe AAK kanë kundërshtuar propozimin e VV’së për Kryetare Kuvendi, teksa LDK ka thënë se duhet marrëveshje politike për dalje nga ngërçi.

Ndonëse javë më parë, VV e ka lutur LDK’në për koalicion, për çka është refuzuar, nga VV-ja tash po deklarojnë se nuk kanë nevojë për partnerë.

“Tash Kuvendi është i 120 deputetëve dhe duhet të konstituohet nga 120 deputetë. Aty nuk ka nevojë për partnerë. Secili e ka pjesën e vet të përgjegjësisë”, ka deklaruar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri në detyrë.

Bislimi në një intervistë për Deutsche Wellen, ka thënë se “Nuk ka krizë qeveritare në Kosovë por ka pengesa në zgjedhjen e kryesuesve të Kuvendit”.

Nga VV-ja nuk kanë dhënë sinjale se do të heqin dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.

Lexo edhe:  Qytetari jep shembullin e mirë, gjen paratë rrugës dhe i dorëzon në Polici

Presidentja Osmani pas një takimi që kishte me krerët e partive politike, ka paralajmëruar se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, nëse nuk gjindet një zgjidhje. Ajo kishte thënë se këtë e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim nga palët.

Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA.