Sot bëhet betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut

Sot fillon betimi i kryetarëve të rinj të 4 komunave në veri të Kosovës.

Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.

Betimi i kryetarit të ri do të bëhet në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe nuk ka pikë tjetër në rendin e ditës.

Dje, shtetet e Quint-it, Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë thënë se zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e veriut të Kosovës janë mbajtur në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

Megjithatë, këto shtete thonë se si pasojë e bojkotit nga komuniteti serb, rezultatet e tyre nuk janë zgjidhje afatgjata politike për këto komuna.

“Më 23 prill, në veri të Kosovës u mbajtën katër palë zgjedhje për kryetar komune dhe dy palë zgjedhje për asamble komunale, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Megjithatë, pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre shteteve.

Shtetet e Quint-it u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku midis të gjitha palëve të interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese pjesëmarrëse në këto komuna.

“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk kërkohet që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thonë shtetet e Quint-it.

Lexo edhe:  Vetura e “llomitur”, pamje nga aksidenti i tmerrshëm ku vdiqën 2 të rinj

Në fund, “pesëshja e madhe” thotë se e mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë nevojën për progres urgjent për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Na ndajnë më pak se 24 orë nga betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut. Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.

Më 23 prill, në komunat veriore, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Komunat në veri patën mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, meqë përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Kryetarët e sapozgjedhur për komunat veriore të Kosovës, të gjithë të partive shqiptare, duhet të kryejnë betimin dhe të hyjnë nëpër zyrat e reja, ndonëse ato kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.