Sondazhi i fundit nga UBO: VV pëson rënie drastike, LDK dyfishohet – Guxo shuhet

Sondazhet e fundit të muajit shtator tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka rënë ndjeshëm në popullaritet derisa ka rritje të ndjeshme nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ku dhe sa u tret 50 përqindëshi?

Më 14 shkurt të vitit 2021, Vetëvendosje do të fitonte bindshëm Zgjedhjet e Jashtëzakonshme duke i marrë 50.2 për qind të votave. Por, pas ardhjes në qeverisje, kjo parti duket se nuk po ia del që të ruajë popullaritetin.

Mos-realizimi i premtimeve, shkelja e qëndrimeve dhe mos-menaxhimi i duhur i krizave duket se kanë shqetësuar qytetarët e vendit, duke e detyruar një masë të madhe prej tyre që të braktisin subjektin politik që drejtohet nga kryeministri Kurti.

Prej 50 në 37

Nga 50 për qind sa i kishte pasur në shkurtin e 2021-s, Vetëvendosje gradualisht do të humbiste mbështetje për çdo muaj. Në prillin e vitit 2022, ata do të kishin 41,9 për qind të mbështetjes qytetare sipas UBO Consulting.

Kjo mbështetje do të binte për dy muaj, deri në qershor, në 39,6 për qind. Por, edhe më shqetësues është muaji shtator e në të cilin u humbën edhe 2,3 për qind tjera, duke bërë që subjekti në pushtet të ketë vetëm 37,3 për qind të votave.

Dyfishohet LDK-ja

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike (LDK) duket se po arrin të konsolidojë radhët me një shpejtësi marramendëse. Kjo parti politike në Zgjedhjet e 14 shkurtit do t’i merrte pak mbi 12,7 për qind, duke e vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e saj – përkundër që është partia më e vjetër parlamentare në vend.

Por, LDK ka arritur të rikuperojë përgjatë kohës sa Lumir Abdixhiku është në krye. Kjo parti politike i kishte 19,4 për qind në muajin prill 2022, për të kërcyer në 20,3 në qershor dhe më pas 22,3 në muajin shtator.

Lexo edhe:  Familja Geci reagon pasi Specialja përmendi komunikatën 59: Krasniqi e Selimi thanë të vërtetën

Për ta ilustruar më mirë, kjo parti kishte qenë larg Vetëvendosjes për 37,5 për qind (50,2-12,7) por tashmë është afruar në vetëm 15 për qind (37,3-22,3).

Së fundi, kësaj partie politike iu bashkua edhe deputetja e Listës Guxo dhe Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, znj. Doarsa Kica Xhelili. Guxo në anën tjetër, përkundër mbajtjes së Kuvendit themelues pikërisht në shtator, është në shifra krejtësisht të shpërfillshme (1,5 për qind) dhe shumë shumë larg mundësisë së mbijetesës në skenën partiake politike.

AAK e PDK, të çuditshme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po ashtu ka shënuar rritje në shtator, por kjo parti kishte pasur rënie nga prilli në qershor.

Nuk dihet saktësisht se çka ka pezmatuar në muajin qershor votuesit dhe mbështetësit e kësaj partie që drejtohet nga Ramush Haradinaj.

PDK-ja në anën tjetër, ka pasur po ashtu një rënie dhe një ngritje të çuditshme. Në vetëm dy muaj, kjo parti është rritur për 0,3 për qind (nga prilli në qershor) për të rënë sërish për 0,2 për qind (nga qershori në shtator).