Skenoi kartelën dhe s’doli në punë në Trepçë – detaje nga procedura ndaj biznesmenit Ekrem Peci

Ekrem Peci, pronar i kafenesë “C’est La Vie” në veri të Mitrovicës të cilës po i bën reklamë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është proceduar në komision disiplinor të Trepçës së fundmi. Arsyeja pse ishte proceduar në komision disiplinor ishte mos-prezenca në punë, pavarësisht se e kishte skenuar kartelën për evidentim.

Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë dokumentin që dëshmon se Peci është proceduar në komision disiplinor. Sipas dokumentit, ai nuk ishte paraqitur në punë nga data 12 korrik deri më 23 korrik, gjegjësisht s’është evidentuar në regjistrin e nënshkrimeve për hyrje-daljeve të punonjësve.

“Ekrem Peci ka bërë shkelje të rëndë të detyrave të punës nga neni 10 paragrafi 1 nën paragrafi 1.27 i Rregullores për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A., ku sipas raportit me nr.prot:4153 të dt.26.07.2024 i njëjti nuk është paraqitur në punë që nga data 12.07.2024 deri me 23.07.2024 nuk ka respektuar pjesëmarrjen në orar dhe vend të punës, nuk është evidentuar në regjistrin e nënshkrimeve për hyrje-dalje të punonjësve në administratën e drejtorisë së njësisë Biznesore Metalurgjia e Zinkut”, thuhet në dokumentin që e ka parë Insajderi.

“Ndërsa në datën 16.07.2024, 17.07.2027, 18.07.2024, 22.07.2024 si dhe 23.07.2024 është konstatuar se në fillim të orarit të punës ka skenuar kartelën në hyrje dhe është kthyer mbrapa duke mos u paraqitur dhe qëndruar në orarin dhe vendin e punës, dhe i njëjti ka munguar par arsye dhe pa informuar dhe pa marrë leje nga Udhëheqësi i drejtpërdrejtë, e gjithë kjo duke u bazuar në nenin 10 paragrafi 1 nën paragrafi 1.27 të Rregullores Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A ku thotë se: “mungesa nga puna 3 ditë pa arsye ose 5 ditë brenda 12 muajve” është shkelje e rënd e detyrave të punës”, thuhet në dokumentin e komisionit disiplinor.

Lexo edhe:  Çka po ndodh? - VV-ja paralajmëron fitore në takimin Kurti-Vuçiq

Ai rezulton të mos ketë dalë në punë gjatë periudhës sa kishte filluar punën lokali i tij ‘C’est La Vie’ në veri të Mitrovicës, pas privatizimit të ish-lokalit famëkeq ‘Dolce Vita’.

Lokali i biznesmenit Peci u reklamua nga Sveçla, derisa para disa ditësh në media u shpërnda një fotografi duke pirë kafe në “C’est La Vie” teksa po ruhej nga Njësia Speciale në veri të Mitrovicës.

Insajderi ka arritur të sigurojë dëshmi që tregojnë se Peci është paguar rregullisht nga shoqëria aksionare Trepça, pronar i së cilës është Qeveria e Kosovës. Ai pagën e fundit e ka marrë në qershor, në muajin kur nuk iu kishin ekzekutuar pagat minatorëve. Para syve të shtetit, paga e Pecit del të jetë si primare për të.

Peci mban pozitën e Inxhinierit për projekte, planifikim dhe kualitet të lëndëve të para, prodhimeve metalurgjike dhe mbetjeve metalurgjike në njësinë biznesore Metalurgjia e Zinkut.

Mediumi ka kontaktuar dje me ish-kryeshefin ekzekutiv të Minierës së Trepçës, Bashkim Kurti, por i njëjti ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për një gjë të tillë gjatë kohës sa e ka mbajtur këtë pozitë. Kurti është shkarkuar nga pozita e kryeshefit të Trepçës me një vendim të Qeverisë në fillim të gushtit të këtij viti.

Se Peci është proceduar në komision disiplinor, e ka konfirmuar ushtruesi aktual i detyrës së kryeshefi ekzekutiv të Trepçës, Faton Ahmeti. Ai ka thënë se ka pranuar informacionin nga komisioni disiplinor, mirëpo nuk i di arsyet dhe ka thënë se s’e di nëse është marrë ndonjë vendim për të.

“Nuk e di arsyen, se këtu është një komision disiplinor që merret me këtë çështje. Me aq sa di unë, ka shku përmes komisionit disiplinor. Unë jam i informum, por kjo shkon përmes komisionit disiplinor. Tani ai e ka të drejtën e ankesës. Sa e di unë, është procedu në komision disiplinor”, është shprehur Ahmeti.

Lexo edhe:  Mes dhimbjes dhe lotëve iu dha lamtumira e fundit mërgimtarit nga Vushtrria që vdiq në vend të punës

Insajderi ka kontaktuar drejtpërdrejtë me biznesmenin mitrovicas për ta pyetur nëse është suspenduar apo shkarkuar nga Miniera e Trepçës. I njëjti ka thënë vetëm se kontratën e ka shkëputur me Trepçën pas përfundimit të pushimit vjetor.

Pronari i ‘C’est La Vie’ ka në pronësi edhe dy biznese të tjera

Peci, i cili përfitonte pagë rregullisht nga Trepça, figuron të jetë pronar në dy biznese të tjera aktive.

Në bazë të të dhënave publike në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), ai është pronar në firmën “N.N.P. ” E.R. CONSTRUCTION”, ku aktivitet kryesor i biznesit është prodhimi i artikujve të plastikës për ndërtimtari.