Skandaloze: Prokuroria e Hagës e quan Kosovën “Kosova dhe Metohija”, publikohet dokumenti
Një dokument i publikuar së fundmi ka zbuluar një skandal të rëndë brenda Prokurorisë së Specializuar në Hagë, ku hetuesit i janë referuar Republikës së Kosovës me termin “Kosova dhe Metohija” – shprehje që përdoret nga Serbia për ta përçmuar shtetësinë e Kosovës.
Skandali ndodhi më 11 nëntor 2022, derisa po intervistohej Sefer Goxhuli nga hetuesit e ZPS-së.
Sipas dokumentit, Goxhuli mbeti i shtangur kur një prej hetuesve e përdori këtë term gjatë leximit të një dokumenti zyrtar.
Ai e cilësoi referencën si thellësisht fyese dhe më pas e paraqiti rastin pranë Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Përdorimi i termit ‘Kosova dhe Metohija’ është fyes dhe bie ndesh me nenin 1 të Kushtetutës së Kosovës. ZPS-ja duhet të veprojë në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës, dhe një gjuhë e tillë është e papranueshme në një proces që pretendohet se zhvillohet në emër të popullit të Kosovës”, thuhet në ankesën e Goxhulit.
Sipas tij, nuk bëhej fjalë për një lapsus apo keqkuptim, pasi termi ishte lexuar nga një dokument zyrtar, gjë që ngre dyshime serioze për qasjen e ZPS-së ndaj shtetësisë së Kosovës.