Skandaloze: Policia në Prizren e fsheh nga Prokuroria përfshirjen e djalit të policit në rrahje – Sinjali sjellë pamjet

Një skenë dhune në mes të rrugës “Adem Jashari” në Prizren, në korrik të vitit të kaluar, dyshohet se e vuri në lëvizje zyrtarin policor Halim Hamiti, ta ‘shpëtojë’ nga prangat të birin e tij, Rion Hamitin, i cili ishte i përfshirë në përleshje. Policia në Prizren e intervistoi të riun vetëm në cilësinë e dëshmitarit, përkundër që Rion Hamiti dha grushte dhe u përfshi në rrahje. Rastit i është dhënë epilogu me dënimin e personit që u arrestua dhe u akuzua për incidentin, teksa djali i policit ‘fitoi’, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjalizues të Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se ndaj Rion Hamiti është kërkuar që të mos iniciohet rast, jo sepse nuk ka elemente të veprës penale, por, sipas tyre, për shkak se është djali i policit Halim Hamiti.   

Ky i fundit po dyshohet se ndikoi në këtë rast, duke ndërhyrë që i biri të intervistohej si dëshmitar dhe jo si i dyshuar, pa e dëshmuar përfshirjen ose jo të tij në sherrin që plasi mes disa të rinjve më 16 korrik 2023.

Sinjali ka siguruar ekskluzivisht pamjet, që provojnë se Rion Hamiti shihet duke dhënë grushte në këtë përleshje, provë kjo që nuk dihet nëse e ka poseduar Policia e Prokuroria dhe gjatë hetimit të rastit, apo edhe ky video incizim është fshehur.

Në videon e mëposhtme shihet se si Rion Hamiti bashkë me disa të tjerë e godasin në kokë viktimën B.J., derisa dikush ndërhyn dhe e ndalon, për të vazhduar sërish me veprime të njëjta.

Ndërsa në një video tjetër, fillimisht njëri nga personat e përfshirë e shtyn një tjetër dhe më pas përfshihet sërish Rion Hamiti.

Lexo edhe:  Lajm i hidhur: Vdes në moshë të re drenicasja, Rifadije Hajrizi