Skandal: Logopedi që abuzoi me 3-vjeçaren autike kthehet në punë në QKUK

Gazeta Sinjali pati raportuar ekskluzivisht për arrestimin e mjekut Iljasa Fazliu, defektolog i Logopedisë, i cili dyshohet për trajtim të pandërgjegjshëm, ndaj një fëmije, të cilin po e trajtonte në ordinancën private, rehabilituese defektologjiko-logopedike AAR LOGO PLUS. Ai ishte pezulluar nga puna në Klinikën e ORL-së në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës, ku ushtronte detyrën e shefit të shërbimit të Logopedisë.

Por as dy muaj më vonë, logopedi Fazliu që dyshohet se abuzoi me 3-vjeçaren me autizëm është kthyer në punë në ORL-së.

Sipas zyrës për media në QKUK, kthimi në punë i logopedit Fazlia është bazuar në vendimin e lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku i njëjti nuk ka dënim të formës së prerë.

“Në lidhje me rikthimin e tij në punë, ju njoftojmë se i njëjti është kthyer në punë vetëm si logoped në Klinikën e ORL-së, por jo u.d. shef i shërbimit. Komision Disiplinor vendimin e ka bazuar në Certifikatën mbi Dënimet Penale të lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku I.F figuron se nuk është i dënuar me Aktgjykim të formës së Prerë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Fazliu do të vazhdojë punën në QKUK, ani pse i njëjti është në rilicencim.

“Po ashtu, ka sjellë dëshminë nga Oda e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë të Kosovës,  Vërtetim, sipas të cilit është në procedurë të rilicencimit të tij nga data 5 janar 2023”, thuhet më tej në përgjigjen e QKUK-së .

Kujtojmë se arrestimi i Fazliut erdhi pasi i njëjti fillimisht u sulmua nga prindi i një fëmije, i cili e akuzoi për keqtrajtim të vajzës së tij me autizëm.

Sulmi ndaj tij u bë sebep që Policia ta arrestojë të njëjtin dhe pas shoqërimit me urdhër të Prokurorit të Shtetit do të hetohet për veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor“.

Lexo edhe:  Disa ushtarë të FSK’së padisin ministrinë e Mbrojtjes, nuk po ju pagujnë orët shtesë