Situatë e rëndë: Fshati Vidimriq ka 3 javë pa ujë, fëmijët e ndërpresin shkollën
Fshati Vidimriq i Mitrovicës është pa furnizim me ujë të pijshëm tash e tre javë, duke e përkeqësuar situatën për banorët e tij. Një nga banorët ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar, duke paralajmëruar për rrezikun e një epidemie për shkak të mungesës totale të ujit.
“Për shkak të gjendjes së rëndë, fëmijët e kanë ndërprerë mësimin në shkollë. Ka shumë rrezik të përhapet ndonjë epidemi që mund të shkaktohet nga mungesa totale e ujit,” ka deklaruar ai.
Sipas tij, problemi nuk ka të bëjë me mungesën e ujit apo ndonjë defekt teknik, por është çështje procedurale që i takon institucioneve përgjegjëse. “Kjo punë rregullohet vetëm duke e shtypur një dygme, sepse ujë ka boll dhe nuk ka asnjë prishje të vetme,” theksoi Kemajl Behrami.
Banorët e Vidimriqit kërkojnë një zgjidhje urgjente nga institucionet për t’i dhënë fund kësaj situate, e cila po e vështirëson jetën e tyre çdo ditë e më shumë.