Sindikata e zjarrfikësve proteston sot para Qeverisë

Anëtarët e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës do të mblidhen sot për të protestuar para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo protestë vjen në shenjë pakënaqësie me kushtet e punës dhe moskompensimin për rrezikshmëri në punë.

Sipas njoftimit, marshi i protestuesve niset nga parkingu i Pallatit të Rinisë në orën 10:30.

“Kryesia e Sindikatës se zjarrfikësve te Kosovës ka vendosur që në shenjë pakënaqësie me kushtet e punës dhe gjendjen në përgjithësi në shërbimin e zjarrfikjes dhe shpëtimit, mosplotësimi i kërkesave të parashtruara me kohë, kërkesa të drejta dhe legjitime, të bazuara në ligje dhe së fundi edhe vendimi që zjarrfikësve t’ju anulohet pagesa për rrezikshmëri në punë, vendim i pa analizuar mirë dhe shumë probleme tjera rreth organizimit, statusi juridik ende i pa zgjidhur, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese mes Komunave dhe MPB/AME, mosplanifikimi buxhetor për zjarrfikës, kushtet e dobëta të punës, numri i pamjaftueshëm i zjarrfikësve, mosha mesatare në prag të viteve 50, kjo gjendje ka shkaktuar indinjatë dhe njëherit, si pasojë e problemeve të pazgjidhura me dekada, kemi vendos që me dt. 14.12.2023 të riaktivizojë protestë”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Zjarrfikësve.

Zjarrfikësit kanë potencuar se neglizhenca e institucioneve ka shkaktuar irritim dhe sipas tyre, mosplotësimi i kërkesave “s’është për shkak se s’ka mjete buxhetore”.

Lexo edhe:  40-vjeçarja dyshohet se u vetëvra te penda e Livoqit