“Simboli i rezistencës shqiptare është kthyer në simbol të turpit shtetëror”- Ish-komandanti i UÇK-së kritikon qeverisjen e Kurtit
Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka reaguar ashpër lidhur me gjendjen e degraduar të objektit që gjatë luftës shërbente si zyrë e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së, Adem Demaçi.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka shprehur keqardhjen e thellë për mënyrën se si është trajtuar shtëpia e dhuruar nga atdhetari Hajdin Paçarada-Dumoshi, e cila dikur ishte epiqendra e rezistencës politike shqiptare.
Mustafa e ka drejtuar gishtin e akuzës drejtpërdrejt te Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
Postimi i plotë:
Më duhet te reagoj, me keqardhje…
Në çfarë gjendje e kanë lënë shtëpinë që Hajdin Paçarada-Dumoshi e dhuroi për UÇK-në, për zyrën ku Adem Demaçi ishte Shef i Politikës.
Kjo shtëpi ishte simbol i rezistencës shqiptare.
Sot është simbol i turpit shtetëror.
E nëpërkëmbur nga vetë ata që sot mbajnë pushtet.
Le ta themi qartë:
Qeveria e Albin Kurtit njeri që dikur punonte brenda kësaj zyre të UÇK-së, e ka lënë këtë vend të shenjtë në gjendje të mjerë.
Kjo nuk është neglizhencë.
Kjo është fyerje për Demaçin.
Fyerje për Paçaradën.
Fyerje për UÇK-në.
Fyerje për historinë tonë.
Ka ardhur fundi i qeverisjeve të papërgjegjshme.
Zëri i qytetarëve po ngrihet dhe nuk lejon më që simbolët e lirisë të trajtohen si objekte të harruara.
Këto pamje nuk janë një gabim.
Këto pamje janë realiteti i një pushteti që nuk e mbron as të shkuarën, as dinjitetin.
Ne nuk heshtim.
Ne nuk harrojmë.
Dinjteti i UÇK-së nuk lihet në rrëmujë.

