“S’i thom vetes njeri që s’të vraj”, dalin detaje nga përleshja te Spitali i Pejës

Një incident ka ndodhur sot te Ambulanca Specialistike në Spitalin Rajonal të Pejës, ku një person dyshohet se ka sulmuar një tjetër me shufër druri, si dhe e ka kërcënuar me vrasje.

Policia intervenoi duke e arrestuar të dyshuarin, teksa viktima mori trajtim mjekësor. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ndërkohë burimet kanë bërë të ditur identitetin e të dyshuarit.

Siç mëson Sinjali, personi që po dyshohet në lidhje me këtë rast është Shain Murati, 65-vjeçar, i cili fillimisht kishte ikur nga vendi i ngjarjes, por më pas u kap nga Policia dhe u shoqërua në stacion policor.

Burimet nga Prokuroria njoftuan se sipas informacioneve të para i dyshuari e ka goditur me shufër druri një person tjetër, te Ambulanca Specialistike, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme me babain e tij (babain e viktimës).

Sherri që plasi aktivizoi Policinë, me ç’rast disa njësi policore intervenuan, ku morën një deklaratë nga viktima e rastit (emër i njohur për redaksinë), i cili ka rrëfyer se i dyshuari e ka kërcënuar seriozisht duke i thënë “S’e lo pa t’vra, nuk i thom vetit njeri nëse nuk të vraj”.

Sinjali merr vesh se pas marrjes së informacioneve të para, Policia është vënë në ndjekje të të dyshuarit, i cili nuk e shijoi lirinë gjatë pasi u arrestua, me ç’rast gjatë kontrollit policor është sekuestruar edhe shufra e drurit.

Pas shoqërimit në Polici, i njëjti ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Lexo edhe:  E rëndë: Vdes papritur një i ri, në mes të lokalit bjen pa ndjenja