Si ndodhi rrahja në pazar mes tregtarëve nga Gjilani dhe Podujeva, ku u plagosen 10 persona
Para se të lindë dielli, tregtarë të kafshëve anë e kënd Kosovës mësynë Prizrenin.
Por sapo zbarkuan në pazar, një grup nga Gjilani u përleshën me një tjetër nga Podujeva.
Të parët pasi sulmuan të dytët, ua hodhën edhe një granatë dore. Policia i shpalli në kërkim tre të dyshuar për ‘shkaktim të rrezikut të përgjithshëm’.
Njëri nga ta R.M 41 vjeç, u kap në mesditë, derisa motivet e rastit janë të ulëta – vendi për shitje.
10 persona që u lënduan nga shpërthimi, morën trajtim fillestar në spitalin e Prizrenit. Atyre që u transferuan në Prishtinë, iu bënë ekzaminimet e njëri iu nënshtrua operimit.
Familjarët e të lënduarve i thanë Klanit prapa kamerës se familjarët e tyre u lënduan aksidentalisht.
Tre nga të lënduarit janë liruar për në shtëpi, e dy nga ta po vazhdojnë trajtimin në Kirurgjinë Torakale.