Si e rrënoi Fadil Nura shkollën në të cilin vetë kishte udhëtuar në këmbë për të mësuar

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, ka rrënuar shkollën e tij, shkollë në të cilën kishte kryer shkollën e mesme. Vendimi për ta rrënuar shkollën e Polacit kishte nxitur reagime të banorëve të Polacit, por edhe debat në Kuvend Komunal.

Gjatë kohës së masave të dhunshme, kur okupatori serb kishte mbyllur shkollat shqipe, shkolla e Polacit kishte hapur dyert për nxënësit e gjimnazit që tash quhet “Hamëz Jashari”, shkruan portali rajoni.org.

Gjimnazi në Skënderaj ishte mbyllur, por ishte hapur në Polac, në objektin të cilin Fadil Nura kishte vendosur ta rrënonte. Në këtë objekt të Polacit, Fadil Nura, kishte kryer edhe vetë gjimnazin. Fadil Nura e kishte quajtur këtë objekt pa vlera historike apo të arkitekturës.

Këshilltari komunal i Lëvizjes Vetëvendosje i kishte reaguar Fadil Nurës, duke ia kujtuar që çdo objekt që ka hapur dyert për shkollat shqipe në atë kohë përbën histori në veti dhe meriton respekt të veçantë. Duke ua kujtuar kolegëve të tij asamblistë se as Fadil Nurës nuk do duhej t’i mungonte nostalgjia për këtë objekt, pasi që kishte kryer shkollën në po këtë objekt dhe gjatë gjithë kohës kishte udhëtuar në këmbë si pasojë e kushteve të renda ekonomike që atë kohë po kalonin nxënësit shqiptarë.

Kundër rrënimit të kësaj shkolle kishin reaguar edhe Avdullah Gashi këshilltar komunal i listës së Bekim Jasharit dhe Afrim Kabashi asamblist i Nismës.

Por, as reagimet e këshilltarve komunal, dhe as fakti se Fadil Nura e kishte kryer shkollën në atë objekt, e as reagimet e banorëve të Polacit nuk e penguan Fadil Nurën që ta rrënonte shkollën në të cilën kishte mësuar vetë, dhe atë çdoherë ishte shkuar e kthyer këmbë./Rajoni.org

Lexo edhe:  “5 djem i kam, ju farojnë nëse nuk e hekë deklaratën në Polici” - Vushtrriasi kërcënohet nga 69-vjeçari