Si do të subvencionohet fatura për ata që kursejnë rrymë në Kosovë?

Me qëllim të përballimit të krizës energjetike më të cilën po përballet vendi ynë, e veçanërisht me atë të rritjes së çmimeve të produkteve bazike, Qeveria e Kosovës ka ndarë 150 milionë euro në kuadër të Pakos për përballje me inflacionin.

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati gjatë prezantimit të Pakos kanë thënë se do të ketë subvencionim të faturave të energjisë elektrike, për ata që kursejnë.

“Do t’i subvencionojmë ata që kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dyfish faturën”, pati thënë Kurti.

Ndërsa, Murati ka thënë se kjo masë do të fillojë nga muaji shtator.

“Duhet të fillojmë të kursejmë. Këtu patjetër ka mënyra të ndryshme të kursimit. Për shembull, nëse janë shpenzuar 1,000 kWh për orë në vitin e shkuar dhe sivjet 900, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 10 për qind. Për këtë përqindje, do ta mbështesim subvencionimin e faturës 20 për qind. Dyfishin e kursimit që e bëjnë qytetarët. Të gjithë qytetarët nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi të dhënat janë në Zyrën e Rregullatorit”, ka shpjeguar Murati.

Në fillim të muajit gusht, deputetët e Kuvendit të Kosovës patën votuar vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike.

Sipas arsyetimit, ky vendim është marr nga gjendja aktuale botërore energjetike. Këto masa do të mbesin aktive për 60 ditë.

Kujtojmë se në fund të vitit të kaluar, qeveria kishte marr vendim për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike

Lexo edhe:  Kurti premton kthimin e mërgatës, ndërsa kaq mijë vetë i ikën Kosovës vetëm për dy vite