Shtiu me kallashnikov në aheng familjar, arrestohet 55-vjeçari në Lipjan
Një 55-vjeçar është arrestuar dje në fshatin Medvec të Lipjanit, pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.
Sipas burimeve të Sinjalit, dje rreth orës 11:00, policia ka marrë informacion për të shtëna me armë, duke bërë që njësitë policore, hetuesit dhe forenzika të dalin menjëherë në vendngjarje.
Aty është identifikuar i dyshuari Ramadan Bungu, i cili kishte shtënë me një AK-47 të prodhimit kinez.
Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar arma, një karikator dhe 18 gëzhoja. Si pjesë e procedurës, policia ka marrë në pyetje edhe dëshmitarin A. B..
Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa ai është ndaluar për 48 orë.