Shteti i Kosovës arreston 4 pjesëtarë të MUP-it, ankohet Serbia
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se autoritetet kosovare i kanë ndaluar të shtunën tre pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) dhe një oficer të pensionuar në pikat kufitare, një javë pasi Serbia e arrestoi një ish-polic të Kosovës.
Ajo tha se autoritetet kosovare nuk kanë pasur “asnjë arsye ligjore” për arrestimin e tyre dhe se kjo “është hakmarrje e nxitur politikisht kundër popullit serb”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Në të njëjtën ditë, ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se e ka privuar nga shtetësia një shtetas të Kosovës nga komuniteti serb, për “cenim të sigurisë kombëtare” të vendit.
Sveçla nuk tregoi nëse Nikolla Vujoviq pjesëtar i policisë serbe, është arrestuar dhe nuk dha hollësi të tjera rreth tij.
Në njoftimin e Zyrës për Kosovën përmenden vetëm inicialet e të ndaluarve nga MUP-i serb: N.V., (26 vjeç), M.M., (28), dhe A.M., (36), si dhe M.S., (53), i cili është polic në pension.
Autoritetet kosovare nuk kanë komentuar deri tani rreth këtyre ndalimeve të raportuara.
Për të ndaluarin me inicialet N.V., Zyra serbe tha se autoritetet e Kosovës kanë marrë vendim për “dëbim të kundërligjshëm”.
“Të gjithë ata, së bashku me familjet, jetojnë prej vitesh në mënyrë paqësore në ‘Kosovë dhe Metohi’ dhe detyrat i kryejnë në drejtoritë policore në territorin e Serbisë qendrore. Aktualisht ndodhen në paraburgim”, thuhet në deklaratën e Zyrës serbe.
Ajo shtoi se për “privimin e kundërligjshëm nga liria” do t’i njoftojë përmes kanaleve diplomatike të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, si dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Ndërkohë, ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, u arrestua nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij.