Shteti e akuzon Sinan Vllasaliun për rreth 25 mijë euro, u kap përmes postimeve të klubeve
Inspektori tatimor, Fidan Tolaj ka thënë se ATK-ja ka vendosur detyrimet tatimore ndaj Sinan Vllasaliut bazuar në informatat që kanë marrë nga postimet e klubeve muzikore nëpër rrjete sociale ku ka pasur të performojë këngëtari.
Këtë deklaratë inspektori Tolaj e ka dhënë të enjten në gjykimin ndaj këngëtarit Vllasaliu, i cili ngarkohet se ka dëmtuar shtetin 24 mijë e 270 euro e 98 centë, duke iu shmangur tatimeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tolaj ka deklaruar se këto klube brenda Kosovës janë inspektuar edhe nga Policia e Kosovës ndërsa për ato jashtë vendit nuk kanë pasur informata përpos posterëve që i kanë postuar në rrjete sociale.
Gjatë kësaj seance, inspektori i ATK-së dëshmoi lidhur me hetimet dhe inspektimet që ATK-ja kishte bërë rreth këngëtarit Sinan Vllasaliu për detyrimet tatimore të tij, duke shtuar se çdo e hyrë duhet deklaruar në ATK edhe nëse tatimet janë kryer jashtë vendit.