Shtetasi i Shqipërisë arrestohet në Obiliq pasi u kap me ‘joint’, pranon se është përdorues i narkotikëve

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë pas mesnate në fshatin Mazgit të Obiliqit, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një person të dyshuar.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se gjatë kontrollit, shtetasit të Shqipërisë i është gjetur një cigare e mbështjellë me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Droga është sekuestruar, ndërsa 20-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku gjatë intervistimit ka pranuar se është përdorues i narkotikëve.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  U shkollua në Turqi për tërmete, drenicaku i gatshëm të ndihmojë popullin turk