Shqetësuese: Një person sillet me armë në dorë në parkun e qytetit në Prishtinë, arrin të arratiset

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet.

Një rast shqetësues është zbuluar mbrëmë në parkun e qytetit në Prishtinë, ku një person është hasur duke u endur me një armë në dorë.

Sinjali mëson se i dyshuari në fjalë ka arritur që të arratiset, ndërsa i riu që po e shoqëronte është ndalur dhe është intervistuar nga Policia.

Bazuar në dëshminë e 18-vjeçarit, arma ishte e shokut të tij për të cilin s’ka dhënë informacione sa i përket vendbanimit.

Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e të riut, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Me urdhër të prokurorit, ndaj 18-vjeçarit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’, ndërsa janë marrë të gjitha veprimet hetimore që të kapet i dyshuari tjetër që u arratis, e i cili do të hetohet për veprën penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Lexo edhe:  A u vra i riu në “Kobra City” për një faturë 400 euro? Flet prokurorja e rastit