Shpërthimi në tregun e kafshëve në Prizren pas konfliktit mes tregtarëve, kjo është dosja e Prokurorisë

Dhjetë persona përfunduan në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren mëngjesin e djeshëm, si pasojë e lëndimeve që morën pas shpërthimit të një granate dore në Tregun e Kafshëve. Pesë prej tyre u dërguan për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa Policia ka identifikuar tre persona të dyshuar. Një nga të dyshuarit është arritur që të arrestohet gjatë ditës së djeshme, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se ishte Remzi Murtezi [42-vjeçar] bashkë me Xhevdet Selimin [37-vjeçar], ata që aktivizuan mjetin shpërthyes.

Prokuroria Themelore në Prizren, sot ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prizren, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Murtezit, i cili po dyshohet për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Sipas kërkesës, “më 22 nëntor 2023, në tregun e kafshëve të dyshuarit R.M dhe Xh.S, pas një mosmarrëveshjeje me të dëmtuarit A.S., B.S., B.P., N.B., M.B., F.S., B.V., A.M., F.S dhe B.S., pasi që fillimisht fjalosen, për një moment të dyshuarit aktivizojnë dhe hedhin një mjet shpërthyes (lloji i panjohur për momentin), i cili kishte fuqinë e përhapjes së pakontrolluar.”

Si pasojë e shpërthimit, lëndime kishin pësuar M.B., F.S., B.V dhe B.S., të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa të dëmtuarit A.S., B.P., N.B., F.S., B.S dhe A.M., pas pranimit të ndihmës mjekësore janë liruar për në shtëpi.

Murtezi është arrestuar të mërkurën në komunën e Gjilanit dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndërkohë Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e Selimit në fshatin Uglarë të Gjilanit, mirëpo i njëjti nuk është hasur aty dhe nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Lexo edhe:  I riu në Fushë Kosovë rrah të dashurën pasi dalin nga moteli, e godet deri në alivanosje

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.