Shoferi në Vushtrri s’u bindet urdhrave të Policisë, fyen dhe i shkakton lëndime një zyrtari policor

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

Me situata të tilla në shumë raste përballen policët e Njësisë së Trafikut, për shkak të pakënaqësisë së qytetarëve të cilëve iu shqiptojnë gjoba për kundërvajtje.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Vushtrri, ku një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Jeronim De Rada’ kanë ndalur një veturë.

Shoferi dyshohet se ka refuzuar që t’u bindet urdhrave të Policisë për prezantimin e dokumenteve dhe është larguar me veturë pa lejen e zyrtarëve policorë.

Njësia policore është vënë në ndjekje të të dyshuarit dhe të njëjtin kanë arritur që ta ndalin dhe ta arrestojnë. I dyshuari ka bërë rezistencë gjatë arrestimit dhe ka fyer policët që ishin duke intervenuar në rast. Përpos kësaj, ai dyshohet se i ka shkaktuar lëndime trupore një polici, i cili më pas kërkoi ndihmë mjekësore në spital.

41-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin nga organet e hetuesisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare’.

Lexo edhe:  Podujevë: Tentuan t’ia vidhnin lopët, pronari has në disa persona në oborr, plagoset nga ta