Shoferi me ‘Porsche’ ndalet nga Policia në Gjilan, i gjendet armë e municion

Posedimi i armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet.

Për një rast të tillë është arrestuar mëngjesin e sotëm një person në Gjilan.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se 35-vjeçari u ndal për kontroll nga Policia derisa po voziste veturën e tij luksoze të tipit ‘Porsche’ dhe të njëjtit iu gjet një armë zjarri me karikator dhe fishekë.

Arma është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dh është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Gruaja me kancer e heq paruken në emision “live”, pret ndihmë për të trajtuar sëmundjen