Shoferi humb kontrollin mbi motoçikletën dhe godet dy vetura në Prizren, dërgohet me urgjencë në spital
Aksidentet në trafik janë një dukuri shqetësuese në vendin tonë, ku për çdo ditë regjistrohen dhjetëra të tilla në të gjitha qytetet e Kosovës. Ato zakonisht ndodhin si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.
Si pasojë e një aksidenti me motoçikletë që ka ndodhur sot në rrugën “Remzi Ademaj” në Prizren, një person është dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente të spitalit të Prizrenit.
Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së motoçikletës me rrethanat e komunikacionit, me ç’rast shoferi nuk ka arritur që të ndalet dhe ka goditur dy vetura që ndodheshin jashtë rrugës.
Sipas burimeve të Sinjalit, gjendja e të lënduarit është stabile dhe i njëjti ndodhet jashtë rrezikut për jetë.