Shkolla “Abdullah Shabani” reagon pas denoncimit të nënës për keqtrajtimin e djalit të saj
Pas denoncimit publik të një nëne nga Mitrovica, e cila akuzoi shkollën fillore “Abdullah Shabani” për mosveprim ndaj dhunës dhe kërcënimeve që djali i saj 11-vjeçar po përjeton nga bashkëmoshatarët, drejtoria e shkollës ka reaguar me një deklaratë duke i hedhur poshtë akuzat dhe duke mbrojtur institucionin.
“Në shkollën ShFMU ‘Abdullah Shabani’, çdo nxënës trajtohet me kujdes dhe është ndërtuar një klimë miqësie ku nxënësit kanë raporte të shkëlqyera mes vete. Raste të tilla jo vetëm që nuk i lejojmë, por as që tentohen nga nxënësit tanë,” thuhet në reagim.
Shkolla ka përmendur se rasti në fjalë lidhet me një nxënës që ka pasur “sjellje delikuente” dhe që në vazhdimësi ka penguar procesin mësimor. Ata shtojnë se nxënësi ka poseduar cigare elektronike, për të cilat është informuar prindi dhe janë ndërmarrë masa këshilluese nga kujdestarja e klasës.
“Nuk është aspak e vërtetë që nxënësi është keqtrajtuar, rrahur apo kërcënuar nga nxënës të tjerë. Kjo është një tendencë për të mbuluar sjelljen e tij jo të mirë në shkollë,” vazhdon deklarata.
Shkolla gjithashtu thekson se nxënësi ka pasur një sukses negativ gjatë gjysmëvjetorit të parë, si dhe një numër të madh mungesash të paarsyeshme. Ata bëjnë me dije se nxënësi ka ndërruar tre shkolla deri më tani, duke përfshirë shkollën aktuale.
“Drejtoria dhe kujdestarja i kanë qëndruar gjithmonë afër nxënësit, duke e këshilluar dhe ndihmuar për të nxitur interesimin e tij për mësim. Akuzat e bëra janë të pabaza dhe një tentativë për të njollosur shkollën,” përfundon reagimi.
Ky reagim vjen pas shqetësimit të ngritur nga nëna e djalit, e cila kërkoi masa nga institucionet përkatëse për të siguruar mirëqenien dhe sigurinë e fëmijës së saj. Rasti ka nxitur reagime të shumta dhe pritet të trajtohet më tej nga institucionet arsimore dhe policore.