Shkoi për vizitë te shoqja e saj, i riu në Obiliq e bën për spital të dashurën e tij
Dyshimet për tradhti shumë shpesh bëhen shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre. Për një rast të tillë, që ka ndodhur dje në fshatin Shkabaj të Obiliqit, Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gruaja viktimë e këtij rasti, ka denoncuar në Polici partnerin e saj, ku ka deklaruar se ai e ka sulmuar fizikisht.
Bazuar në dëshminë e saj, gjithçka ka nisur si pasojë e një mosmarrëveshjeje që kishin pasur për shkak të vizitës së 33-vjeçares te një shoqe e saj. 24-vjeçari kishte tentuar ta ndalojë viktimën që të mos shkojë te shoqja dhe pasi e njëjta nuk i është bindur, i njëjti e ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore.
Si pasojë e lëndimeve të marra, 33-vjeçarja ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar ‘Dhunë në familje’ dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.