Shkoi për t’i dorëzuar dokumentet e dëmeve nga vërshimet, një grua vdes në oborrin e Komunës së Rahovecit – Policia po heton rastin
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Rahovec, ku një grua ka ndërruar jetë në rrethana ende të paqarta, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se viktima është Fahrije Krasniqi (1984), e cila kishte shkuar në Komunën e Rahovecit, në rrugën “Dëshmorët e Pashtrikut”, për çështje administrative.
Sipas deklarimit të dëshmitarit J.D, kunati i viktimës, rreth orës 13:20, ata kishin shkuar bashkë me veturë VW Golf IV, ngjyrë e zezë, për të dorëzuar dokumente lidhur me dëmet e shkaktuara nga vërshimet. Pas përfundimit të procedurave në komunë, ndërsa ndodheshin në oborrin e institucionit, viktimës i ka rënë të fikët brenda automjetit.
Dëshmitari e ka dërguar menjëherë viktimën në QKMF Rahovec, por sipas mjekut kujdestar, ajo kishte mbërritur pa shenja jete. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për t’i dhënë ndihmën e parë, nuk është arritur rikthimi i saj në jetë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore dhe hetuesit e Stacionit Policor Rahovec, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar.
Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do t’i nënshtrohet obduksionit, për të sqaruar shkakun e saktë të vdekjes.

