Shkoi me mërgimtarin në motel, ia vodhi krejt çka kishte dhe iku – kapet 25-vjeçarja

Grabitjet e vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare janë bërë një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës, që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Një rast i tillë, por jo fort i zakontë kishte ndodhur në një motel në prill të vitit të kaluar dhe tek tash është arrestuar personi i dyshuar.

E dyshuara 25-vjeçare që dyshohet se ia kishte vjedhur paratë dhe gjësendet me vlerë mërgimtarit me të cilin kishte qëndruar në një motel në Fushë Kosovë, tashmë ka rënë në prangat e Policisë.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për A.Haxha, e cila është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, por nuk është deklaruar fare lidhur me rastin, duke u mbrojtur në heshtje.

Ndaj saj janë ngritur dyshimet se në prill të vitit 2023, në motelin ‘Diamonds’, ia kishte vjedhur viktimës stolitë që kapnin vlerën e rreth 20 mijë eurove, paratë, telefonin e të gjitha dokumentet.

Policia në koordinim me Prokurorinë ka arritur të sigurojë edhe prova, që dëshmojnë përfshirjen e të dyshuarës në rast.

Ndaj saj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.

Lexo edhe:  Grabitje në ‘Jaffa’ në Mitrovicë, dy persona nën kërcënimin e armës ia marrin punëtorit afër 10 mijë euro pazar ditor