Sherr për parking në Prizren, një 22-vjeçar dërgohet në spital – i dyshuari në arrati

Rrahjet mes personave të ndryshëm në Kosovë shpesh herë ndodhin për arsye banale. E ndër zënkat më të shpeshta janë ato për parkingje, ku shumë qytetarë hasin në telashe me njëri-tjetrin, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në Prizren, ku një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka sulmuar fizikisht një 22-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se i riu është dërguar atje me lëndime të dukshme trupore dhe i njëjti ka marrë tretman mjekësor.

Ndërkohë ai ka denoncuar në Polici, ku para hetuesve policorë ka dhënë dëshminë e tij lidhur me atë që ka ndodhur.

Sipas tij, ka pasur një konflikt verbal me një person lidhur me parkingun e veturave, e më pas ky i fundit e ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore. Madje, bazuar në dëshminë e tij, i dyshuari ka ekspozuar edhe armën e zjarrit që kishte me vete.

Njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Lexo edhe:  Dalin pamjet: Sokol Halili ishte parë në një qytet të Kosovës, 2 orë pasi kreu vrasjen