Sherr në Rahovec: I mituri e bën për spital një 20-vjeçar, Policia e arreston

Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit.

Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete, raporton Gazeta Sinjali.

Në një sherr janë përfshirë së fundi edhe dy persona në rrugën ‘Mulla Cufa’ në Rahovec, ku si pasojë një 20-vjeçar ka përfunduar në spital, e një i mitur është arrestuar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rahovec kanë bërë me dije se viktimës i është ofruar ndihma e parë mjekësore dhe më pas është transferuar në Spitalin Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë për trajtim të mëtutjeshëm.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët pas veprimeve hetimore është arritur që ai të identifikohet gjatë ditës së djeshme.

I mituri është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar në prezencën e avokatit të tij mbrojtës dhe të prindit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Lexo edhe:  Shqiptarët në veri të Mitrovicës në gjendje të rëndë pas vërshimeve, presin ndihmën e shtetit