Sherr në Emergjencën e Ferizajt: 22-vjeçari përfshihet në përleshje me mjekun, tenton ta ther me thikë

Punëtorët shëndetësorë jo rrallëherë kanë qenë cak i sulmeve e kërcënimeve nga pacientët e familjarët e tyre të cilët shpeshherë i kanë akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Raste të tilla janë raportuar jo vetëm në spitale private, por edhe në ato publike, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe të shtunën në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku një mjek është futur në sherr me një person, i cili dyshohet se tentoi edhe ta ther me një mjet të mprehtë.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për mjekun A.Zenelaj, i cili sipas informacioneve të para është përfshirë në rrahje me të dyshuarin I.Ramusholli, (22-vjeçar), i cili dyshohet se u kap me mjekun pas një mosmarrëveshje verbale.

Për motive akoma të panjohura, i dyshuari Ramusholli, ka tentuar edhe ta godas me thikë mjekun, por që kolegët e tij arritën të intervenonin dhe ta ndalonin të riun, i cili për pasojë përfundoi në pranga të Policisë.

Posa rasti është denoncuar, i riu është arrestuar dhe shoqëruar në stacion, ndërsa mjeti i mprehtë u konfiskua me rastin e kontrollit policor.

Deklaratë për rastin ka dhënë edhe mjeku që u përfshi në rast, i cili është intervistuar në cilësinë e viktimës.

Ndaj të dyshuarit Ramusholli, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit policor, nën dyshimet për veprën penale “Sulm”.

Lexo edhe:  Lajmi i fundit: Gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë, dyshohet për të plagosur