“S’guxon me pasë frajer as m’u martu se të mbys, kom me ta hup jetën”/ I riu në Gjilan kërcënon ish bashkëshorten e tij

Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga dhuna psikike e fizike edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre.

Me tortura psikike po përballet edhe një 19-vjeçare në Gjilan, e cila dyshohet se vazhdimisht kërcënohet nga ish bashkëshorti i saj.

Sinjali mëson se i dyshuari i dërgon ‘selame’ duke e paralajmëruar se ajo s’guxon të ketë lidhje dashurie me askënd tjetër, e aq më pak të martohet sërish sepse sipas 22-vjeçarit, ajo ende është gruaja e tij. Përpos këtyre, i dyshuari i ka thënë se do ia humb jetën.

Përballë kësaj situate e reja është detyruar të denoncojë rastin në Polici, ku para hetuesve ka rrëfyer gjithë tmerrin të cilin po e përjeton. Ajo ka bërë të ditur se ka pasur frikë që ta raportojë rastin më parë, për shkak të kërcënimeve nga i dyshuari.

22-vjeçari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti ka pranuar se e ka kanosur ish bashkëshorten e tij, duke thënë se ai ende e konsideron se është i martuar me të.

Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit ku kanë gjetur dhe konfiskuar një thikë.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Aksioni i zhvilluar në Veri: 12 persona përfundojnë në Polici si të dyshuar për kontrabandim me migrantë