Sërish “Hallakamë” në UIBM, dorëzohet kallëzim penal ndaj Agron Bekës e Salem Lepajës

Si emër mund të mos iu kujtohet, por fjalët e tij për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, sigurisht se i mbani në mend të gjithë. Salem Lepaja, profesor në Universitetin e Prishtinës, kishte lavdëruar Kurtin me fjalë të mëdha. Kjo duke folur për kujtimet e tij me tashmë kryeministrin e Kosovës, kur ishte student.

Lepaja që është profesor në Fakultetin e Inxhinierisë, kishte deklaruar se ka menduar që kryeministri Kurti do të bëhet shkenctar. Ai kishte rrëfyer për komunikimin që kishte pasur me letra sa kryeministri Kurti po mbahej në burg, e deri te intervistat që ai i jep tash nëpër televizione.

“Albinit i kam ligjëruar në vitin 1995-1996, 1997-1998. Albini ishte i veçantë. Ishte i veçantë edhe në pamje. I mbante floktë e gjata. Gjatë ligjëratave koncentrohej shumë, nuk bënte pyetje por koncentrohej. Merrte shënime, e gjatë pushimeve ose diskutonim lidhur me temën ose e shihja me shokë të tij duke qeshur, duke diskutuar për sport, e sidomos për basketboll”, deklaronte Lepaja për Telegrafin.

“Kam shkëmbyer letra edhe pasi ka dalur prej burgut, dhe më kujtohet një mbramje pata dërguar letër të gjatë. Pata hyrë në politikë, pata treguar qëmos ta lëshojë rastin që të vazhdojë veprimtarinë e tij për çlirimin e Kosovës. Edhe pse kam pasur postim në vitin 2015. Derisa e shikoja një program ku ishte ai mysafir, dhe aq shumë u enzutiazmova nga qëndrimi i tij dhe shprehjet e tij. Aty pata thënë se ende i ruaj fletoret e Albinit. Kam menduar se po i ruaj fletoret e një shkenctari të ardhshëm, e nuk kam menduar se po i ruaj të një politikani të madh”, pati deklaruar më tutje Lepaja.

Por, profesori që ka lavdëruar Kurtin, po del se nuk ka një karrierë pa telashe. Salem Lepaja ka qenë një kohë kryesues i Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës.

Lexo edhe:  Ndahet nga jeta gjinekologu nga Gjilani, Shaban Rexhepi

Ndaj Lepajës ka kallëzim penal në Prokurori se ka tentuar ta mbajë të fshehtë një aferë të një prej profesorëve. Fjala është për Agron Bekën, që është edhe anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Fshehja e skandalit

Profesori në Universitetin e Mitrovicës, Agron Beka, dyshohet se kishte përfituar pagesa për mbajtjen e një lëndëje zgjedhore, edhe pse në atë lëndë nuk kishte asnjë student. Pra, ligjëratat nuk ishin mbajtur, pasi studentët kishin zgjedhur një lëndë tjetër.

Megjithatë, Beka për gjithë semestrin kishte dorëzuar listat në Universitet, duke përfituar pagesat ashtu siç janë të rregulluara me normat e brendshme.

Ndaj Bekës në vitin e kaluar ishte ngritur kallëzim penal. Megjithatë, bashkë me të ishte kallëzuar penalisht edhe dikush tjetër. Fjala është për profesorin Salem Lepaja.

Lepaja dyshohet se gjithë këtë aferë e kishte mbajtur të fshehtë në Këshillin Drejtues, për shkak të raporteve të mira me Bekën. Kështu të paktën thuhet në kallëzimin penal të ngritur në Prokurorinë e Mitrovicës, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale.

“I dyshuari tjetër Salem Lepaja me qëllim që të mbroj Agron Bekën dhe në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Drejtues, ka prolonguar dy kërkesa që të futen në rend të ditës. Më 13.05.2022, parlamentu studentor ankohet në Këshillin Drejtues për shkeljet e akteve normative nga Agron Beka, mirëpo Salem Lepaja në asnjë mbledhje të këtij këshilli nuk vendosë ankesën për trajtim në rend të ditës”,thuhet në kallëzimin ndaj Lepajës dhe Agron Bekës.

Nacionale ka siguruar edhe një pjesë të faturave të cilat Agron Beka i kishte dorëzuar, për të cilat ishte kompensuar. Pra, për ligjërata që nuk janë mbajtur, sepse s’ka pasur studentë.

Lexo edhe:  Rrahet punëtori i KEDS-it, bëhet për spital

Gazeta ka mësuar se pavarësisht që kanë kaluar disa muaj, Prokuroria e Mitrovicës ende nuk ka kthyer përgjigje lidhur me këtë kallëzim penal. Burimet kanë bërë të ditur se ka dyshime që Agron Beka që është edhe anëtar i Këshillit Prokurorial, mund të ketë ndikuar në procedurë.

Salem Lepaja aktualisht është anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Mitrovicës, si i deleguar nga Ministria e Arsimit, të cilën e drejton Arbërie Nagavci.

Nacionale edhe më herët kishte raportuar për tema të ndryshme lidhur me Universitetin e Mitrovicës.

Pishmanlinjtë e lap-topëve

Më datën 3 dhjetor të vitit 2021, Këshilli Drejtues i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, mori vendim për blerjen e telefonave mobilë, për anëtarët e Këshillit Drejtues të këtij universiteti.

Këshill ky i cili përbëhet nga kryesuesi, zëvendëskryesuesi dhe 5 anëtarë të tjerë. Që do të thotë, gjithsej 7 persona.

Por, që nga data e vendimit, që janë bërë më shumë se 5 muaj, asnjë tender nuk ishte shpallur nga ky universitet në webfaqen e tyre.

Gazeta e kishte pyetur kryesuesin e këtij Këshilli se çfarë ka ndodhur me vendimin dhe se a janë blerë telefonat. Por, një ditë pas kësaj bisede me Salem Lepajën, zyra për Informim e Universitetit tha se “Vendimi për blerjen e këtyre telefonave mobilë është anuluar”.

Refuzimi / I bien pishman – Këshilli Drejtues i Universitetit të Mitrovicës heq dorë nga blerja e telefonave me para të shtetit
Sipas zyrës për Informim, të njëjtit vetë e kanë marrë vendimin, vetë e kanë anuluar, me arsyetimin që nuk dëshirojnë t’i marrin telefonat.

“Sot, ky vendim është anulu në mbledhjen e Këshillit Drejtues nga ta. Shumica e anëtarëve janë shprehë se nuk po dojnë me i pranu këta telefona. Vetë kanë marrë vendim në herën e parë, vetë sot i kanë refuzu. Ligji ua lejon me anulu”, thanë nga Zyra për Informim e universitetit “Isa Boletini”.

Lexo edhe:  Kështu u bë "shkrumb e hi" vetura, pas aksidentit të rëndë afër "Binni-t"

Ndërsa Salem Lepaja i cili e dha nënshkrimin e mbi këtë vendim si kryesues i Këshillit Drejtues, tha se ai dhe zëvendësi i tij kishin hequr dorë që disa kohë nga marrja e telefonave.

Arsyetimi i tij ishte se ai dëshironte t’i shmangej çdo keqinterpretimi apo keqpërdorimi, anipse në fillim i njëjti kishte pranuar dhe nënshkruar vendimin.

“Unë dhe zëvendësi im kemi hjekë dorë nga marrja e këtyre telefonave. Janë mjete të punës që në fund kthehen. U kam thanë se s’kam nevojë për telefon, pasi që e kam celularin tim. Në mënyrë që t’i shmangem çdo keqinterpretimi apo keqpërdorimi kam hjeke dorë”, tha Lepaja për Nacionalen.

Por, Lepaja duket se nuk ka fort besim në menaxhmentin e këtij universiteti, pasi që i njëjti thotë se menaxhmenti i këtij universiteti është grup mafioz dhe janë të profesionalizuar për të futur pika të ndryshmë në rend të ditës.

“Nuk më kujtohet që e kam nënshkru atë vendim. Por nuk po e mohoj. A qenka ndonjë vepër penale me nënshkru a? Ekziston mundësia, e di, edhe qysh ka dalë ai propozim në pikën e rendit të ditës, të ndryshme. Ata janë grup mafioz dhe të profesionalizum për me futë pikat. Procesverbalet i këqyri më shumë sesa provimet e studentëve, sepse fusin gjëra që nuk thuhen në mbledhje. S’kanë ku me m’u kapë mu në Universitet, e tash nashta kapen për do telefona. Pse po iu intereson bash çështja e celularëve?”, tha kryesuesi i Këshillit.

Ky vendim ishte marrë në mbështetje të nenit 18 nga Këshilli Drejtues i Universitetit “Isa Boletini”, në mbledhjen e datës 3 dhjetor të vitit 2021.