Serbia përfiton 1 miliard dollarë nga investimet amerikane, Daçiq dhe Hill nënshkruajnë një memorandum të ri

Mediat serbe kanë raportuar ditën e sotme për një marrëveshje të nënshkruar në mes ministrit të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.

Sipas raportimeve, ata sot nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Departamentit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.

Sipas Tanjung, Hill u shpreh i kënaqur me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për emërimin e oficerit ndërlidhës, pozitë për një diplomat serb që do të punojë në Departamentin e Shtetit.

“Mendojmë se kjo është një mundësi reale që ministritë tona të afrohen dhe të njohin më mirë diplomatët tanë. Mendoj se Serbia ka traditë të diplomatëve të mirë”, tha Hill, përcjell Insajderi.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka deklaruar se bashkëpunimi ekonomik midis SHBA-së dhe Serbisë, vitin që e lamë pas, ka kaluar shifrën një miliardë dollarë.

“Është me rëndësi të madhe që më shumë se 30 mijë punëtorë janë të punësuar nga kompanitë amerikane në Serbi”, ka thënë Daçiq në konferencën e përbashkët për shtyp.

Daçiq tha se presin edhe një vizitë nga Sekretari i Shtetit Anthony Blinken, pasi sipas tij kjo do të konfirmonte vendosmërinë e administratës aktuale amerikane.

Bazuar në raportimin e mediave serbe, Hill ka thënë se me Daçiqin ka biseduar për çështje të ndryshme me të cilat ballafaqohen dhe është shprehur i kënaqur që ekziston një pikëpamje e përbashkët për problemin.

“Është e qartë se ka shumë gjëra që duhen bërë në botë për çështje që janë shumë të rëndësishme, si për Serbinë ashtu edhe për SHBA-në”, tha Hill dhe përmendi agresionin rus dhe kthimin e paqes në Ukrainë.

Lexo edhe:  Policia gjen dy bunkerë me armë në Prishtinë dhe Gjilan