Serbia arreston vëllain e ish-nënkryetares së Leposaviqit, shkak bashkëpunimi me AKI-në
Sigurimi serb në Rashkë ka arrestuar, Dragan Aksentijeviq, mbi dyshimet se bashkëpunonte me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Mediumi serb, Alo, raporton se Aksentijeviqit i është caktuar edhe masa e paraburgimit deri në 30 ditë, përcjell klankosova.tv.
Ai njihet edhe si vëllai biologjik i ish-nënkryetares së komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq, për të cilën hetimi supozon se i ka ndihmuar me gjithë zemër në spiunim në llogari të kryeministrit Albin Kurti.
Sipas të dhënave të siguruara nga autoritetet hetuese serbe, në gjashtë muajt e fundit, Aksentijeviq veçanërisht ka intensifikuar aktivitetet e natyrës inteligjente dhe subversive me mikun e tij të vjetër Milan Vukashinoviq, i njohur si Duduk, nga Leposaviqi.
Që të dy, me urdhër të drejtpërdrejtë të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe Policisë së Kosovës kanë vepruar në zonën e pjesës veriore të Kosovës, kryesisht në zonën e komunës së Leposaviqit, thuhet tutje.