Sekuestrohen edhe mbi 2 mijë monedha 2 euroshe false në Vushtrri
Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedha që po ‘tmerron’ të gjithë është ajo 2 euroshe.
Një rast i tillë është raportuar mëngjesin e sotëm nga një zyrtar i një banke në Vushtrri, i cili ka njoftuar se janë detektuar një shumë e konsiderueshme e parave false që janë deponuar nga një klient.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se janë sekuestruar mbi 2 mijë monedha metalike nga 2 euro, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
Paratë që dyshohet se janë të falsifikuara janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale dhe me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.
Ndryshe, se falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.