Sa afër kufirit me Kosovën ishin forcat serbe?

Situata në Kosovë, për momentin, është e qetë, por mbetet e brishtë, vlerësoi misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Kryeministri Albin Kurt, tha një ditë më herët se “njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën” dhe publikoi, siç pretendoi, pamje të tyre.

“KFOR-i ka një prani fleksibël dhe të dukshme në mbarë Kosovën – gjë që i mundëson misionit tonë të monitorojë nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë dhe t’iu përgjigjet të gjitha situatave që ndikojnë në një mjedis të sigurt”, tha KFOR-i përRadio Evropa e Lirë.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse ka parë ndonjë lëvizje të pazakontë të Ushtrisë apo Policisë së Serbisë afër kufirit me Kosovën.

Ky mision është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra.

Në bazë të një marrëveshjeje me KFOR-in, Policia e Kosovës mund të patrullojë në kufirin me Serbinë deri në një kilometër afër vijës ndarëse. Forcat e Armatosura të Serbisë, po ashtu, duhet ta informojnë KFOR-in nëse njësitë e tyre afrohen më afër se 1 kilometër nga kufiri me Kosovën.

Çka u tha në Serbi?

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha përmes një deklarate për media se pretendimet e Kurtit janë “vazhdimësi e fushatës dezinformuese drejtuar kundër Ushtrisë së Serbisë”.

Sipas kësaj ministrie, në video shihen pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë në zonën e sigurisë tokësore, “duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e vijës administrative dhe kontrollin e zonës së sigurisë tokësore”.

Lexo edhe:  Policia e ‘lëshon dorën’ në gjoba, brenda ditës ndëshkoi mbi 2 300 persona

Këto veprime u tha se janë në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera, të nënshkruara me KFOR-in.

Në reagimin e ministrisë serbe thuhet, po ashtu, se në sigurimin e “vijës administrative drejt Kosovës dhe Metohisë” – siç i referohet Serbia kufirit me Kosovën – “nuk ka vend për Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”.

Sa afër, në fakt, ishin forcat serbe?

Ekipi i forenzikës i REL analizoi pamjet që shpërndau Kurti në rrjetet sociale dhe lokalizoi vendin ku ndodheshin automjetet ushtarake serbe.

Automjetet në video duket se janë të kthyera në drejtim të fshatrave serbe, kurse ushtarët iu afrohen automjeteve të parkuara ushtarake.

Sipas njehsorit, që është pjesë e veglës Google Maps, në momentin e videos, dy automjete dhe disa ushtarë ndodhen rreth 350 metra nga kufiri me Kosovën, sipas vijës ajrore.

Në atë vend, ka edhe një rrugë të vogël ranore që e kalon kufirin.

Në të dy anët e kufirit, aty pranë shihen shtëpi.

Menjëherë pas kësaj vije kufitare janë fshatrat Banjë dhe Kleçkë në Kosovë.