Rrëzohet punëtori nga një objekt në Prishtinë, dërgohet me urgjencë në QKUK

Edhe pse rastet e lëndimeve të punëtorëve në vendet e punës nuk janë të rralla, kushtet nëpër kompanitë private po vazhdojnë të jenë të këqija, e ku prej të cilave po pësojnë më së shumti punëtorët.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Zllatar, ku një person teksa po kryente punë në një objekt, është rrëzuar nga një lartësi dhe ka pësuar lëndime serioze.

Burimet brenda Emergjencës bëjnë me dije se viktima është punëtor i kompanisë “Fidola SHPK” dhe ishte dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për trajtim mjekësor si pasojë e plagëve që mori në kokë.

Sinjali mëson posa Policia është vënë në dijeni për rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes, bashkë me inspektorin e punës, për t’i bërë ekzaminimet e nevojshme, nëse janë plotësuar kushtet apo jo, në vendin ku u lëndua viktima.

Ndërkohë është paraqitur vet në Polici menaxheri kryesor i kompanisë “Fidola SHPK”, i cili është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet për veprën “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi në vendin e punës”.

Rastin për Sinjalin e kanë konfirmuar edhe nga kompania, me ç’rast sipas tyre kushtet në objektin ku ka punuar viktima janë plotësuar.

Lexo edhe:  Burri e bën bashkëshorten për spital, përfundon në ndalim për 48 orë