Rrezikoi trafikun në Rahovec, shoferi i dehur kërcënon zyrtarët policorë

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës.

Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

Një rast i tillë ka ndodhur sot rreth orës 05:00 në rrugën ‘UÇK’ në Rahovec, ku një person dyshohet se ka vozitur veturën e tij duke rrezikuar trafikun.

Sinjali mëson se zyrtarët policorë që ishin duke patrulluar në atë zonë, janë përballur me sjelljen agresive të 27-vjeçarit.

I dyshuari ka fyer dhe ka kërcënuar zyrtarët policorë dhe si pasojë është vënë në pranga.

I riu pasi është arrestuar është shoqëruar në stacion policor dhe i është nënshtruar testit të alkoolit, ku ka rezultuar në gjendje të dehur.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.

Lexo edhe:  “E përqeshën dhe e goditën me thikë kuzhine” – Vritet në Itali 61-vjeçari shqiptar