Rreth 200 mijë euro vlerësohet dëmi në stadiumin e Drenicës

Një veturë e përmbysur në afërsi të zhveshtores së stadiumit “Bajram Aliu” në Skenderaj, ishte një prej shenjave të vërshimeve të javës së kaluar. Vetura nuk ishte gjëja e vetme e dëmtuar brenda rrethojave të stadiumit, ku skuadra e futbollit Drenica i luan ndeshjet e Superligës. Është shkatërruar shumëçka në stadium. Fusha dukej goxha e rënduar, kurse brenda objektit pajisjet e dëmtuara nuk mund të shfrytëzohen edhe në të ardhmen.

Drejtori sportiv i Drenicës, Taulant Dajaku, thotë se dëmi nga vërshimet vlerësohet të jetë rreth 200 mijë euro. Stadiumi vlerësohet të jetë ndër më të prekurit nga vërshimet në Skenderaj. Dëmet në gjithë Skenderajn në fakt vlerësohen të mëdha.

“Është shkatërruar gjithçka dhe dëmi kap vlerën e rreth 200 mijë eurove duke llogaritur rinovimin e tërësishëm të objektit dhe sistemi i fushës që do të na marrë shumë kohë, pasi nuk është proces që përfundon shpejtë. Ne jemi në luftë me kohën dhe gjendja pas kësaj fatkeqësie natyrore na ka rënduar shumë, jo vetëm klubin por gjithë qytetin”, ka thënë Dajaku.

Ai pret që Federata e Futbollit e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Skenderajt të bëjnë investime, pasi klubi, siç thotë Dajaku, e ka të pamundur një gjë të tillë.

“U kemi dërguar shkresat organeve, FFK-së dhe MKRS-së për të shikuar mundësinë që bashkërisht të tentojmë diçka pasi për 20 ditë do të na rëndojë shumë kjo lloj gjendjeje. Po shpresojmë shumë në përgjigje pozitive dhe të tentojmë që të paktën në mes të pranverës ta rregullojmë (stadiumin) për të zhvilluar këtu garat. Është dita e tretë pas vërshimeve dhe gjendja është e pashpresë”, është shprehur tutje Dajaku.

Lexo edhe:  Mjeku specialist i Spitalit të Pejës, Reshat Emra, vdiq nga infarkti

Dajaku ka theksuar se Drenica mund të mos e ketë gati stadiumin për fillimin e stinorit pranveror, që është paraparë të nisë më 11 shkurt.

“Duhet pranuar që fillimi i edicionit do të na gjej në një prej stadiumeve përreth. Shohim si mund të sistemohemi dhe të bëjmë një punë të madhe. Duhen financa dhe gjëra të tjera, por që besoj se FFK-ja ka fondin e saj për raste të tilla emergjente ashtu si edhe MKRS-ja dhe Komuna që bashkërisht të intervenojnë që të mos jetë qëndrimi i gjatë i joni jashtë stadiumit”, ka shtuar Dajaku.

Dajaku ka falënderuar klubet kosovare që kanë shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë Drenicës. Disa klube ia kanë mundësuar Drenicës që stërvitjet apo edhe ndeshjet t’i luaj në fushat e tyre.

“Është në traditën tonë shqiptare të mbështesim njëri-tjetrin. Sigurisht është ndjesi e mirë pas gjithë kësaj që kemi kaluar kur skuadrat që bëjnë gara në këtë nivel bashkë me ne kanë treguar zemërgjerësi që është për t’u përgëzuar. Duke u bazuar në këtë, unë besoj se fuqia dhe dëshira e institucioneve do të jetë e atillë që këtë lloj tragjedie natyrore që ne e kemi kaluar, dëmet e saj t’i sistemojmë sa më shpejt”, ka thënë Dajaku

Dëme kanë pësuar edhe objekte të tjera sportive në qytetet e prekura nga vërshimet.

Të hënën stadiumin “Bajram Aliu” dhe disa stadiume tjera i ka vizituar Këshilli Emergjent i FFK-së.