Rrëfimi i babait të Fatlind Hysenajt: Djalit tim të vdekur iu vesh fajësia

“Epo mirë, ti e pave gjakun e djalit tem në muri, pse se preke me e marr mostër”, ishin fjalët me të cilat Bashkim Hysenaj nis rrëfimin për përpjekjet e tij 3-vjeçare në kërkim të drejtësisë për të birin.

Për asnjë moment Bashkimi nuk fsheh zhgënjim ndaj organeve të drejtësisë.

Bashkim Hysenaj, nga Deçani, humbi të birin 21-vjeçar tre vjet me parë në një aksident trafiku.

I biri i tij, Fatlindi, në natën kritike, ndodhej në veturë me shokun e tij, Shkëlqim Kameraj, kur vetura e tyre humbi kontrollin në orët e para të mëngjesit të 25 dhjetorit të 2019-ës.

Fatlindi mbeti i vdekur, derisa shoku i tij mbijetoi.

Sipas raporteve të organeve të drejtësisë, natën kritike në timon ishte Fatlind Hysenaj, ndërsa Shkëlqim Kameraj gjendej në ulësen e pasagjerit.

Por ky raport nuk e ka bindur asnjëherë babanë e Fatlindit, i cili thotë se ka fakte që Shkëlqimi, i mbijetuari i aksidentit, ishte personi që ka vozitur në natën kur i biri i tij humbi jetën.

Bashkimi pretendon se shumë fakte u anashkaluan nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Një ndër to është edhe një këpucë e bardhë, e cila qëndronte nga ana e vozitësit, ani pse, sipas raportit të mjekësisë ligjore, këpuca nuk i përkiste Fatlindit, pasi ai atë natë kishte të mbathura këpucë të zeza.

Një tjetër detaj që u anashkalua nga hetuesia, sipas Bashkimit, është edhe një pako cigaresh, e cila u gjend në ulësen e pasagjerit, e cila ishte lloji i cigares, të cilën e konsumonte i biri i tij.

Por, pavarësisht gjithë këtyre detajeve dhe pas shumë provash që Bashkimi thotë se ia ofroi organit të ndjekjes, rasti i vdekjes së Fatlindit dy herë u mbyll.

E pa përgjigje KIKS-in e la edhe familja e Shkëlqim Kamerajt.

Lexo edhe:  Zbulohen detaje të reja rreth vrasjes së boksierit, Besar Nimani - del në pah një letër

Por pavarësisht insistimit të redaksisë që të kemi edhe qëndrimin e tyre dhe deklaratën e të mbijetuarit, Shkëlqimit, nëse ai ishte duke e vozitur veturën, e cila ishte në pronësi të familjes Kamberi, konkretisht gruas së axhës së tij, por pa rezultat, të njëjtët e bllokuan numrin e KIKS-it pa kthyer përgjigje.

Një tjetër dëshmi që, sipas Bashkimit, nuk është marrë parasysh nga organet e ndjekjes, janë edhe mundësia e ekzistimit të një dëshmitari, i cili, sipas tij, ishte personi i parë që e pa aksidentin dhe e lajmëroi policinë.

Por një gjë e tillë nuk vërehet në raportin e hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria Themelore në Pejë, aty përmenden si dëshmitarë vetëm dy policët që kishin dalë në vendin e ngjarjes në natën e 25 dhjetorit të 2019-ës, si dhe ekipi e zjarrfikësve, të cilët intervenuan në makinën e aksidentuar.