Rrahu bashkëshorten e tij me ‘stupc’, burri nga Drenasi dërgohet në paraburgim për 6 muaj

Një rast i dhunës në familje kishte ndodhur mbrëmjen e së hënës në lagjen Çikatovë e Re të Drenasit, ku një burrë sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se 44-vjeçari i kishte shkaktuar lëndime trupore bashkëshortes së tij, duke e goditur me një shkop druri. Viktima kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas, ndërkohë që rastin e kishte denoncuar edhe në Polici.

I dyshuari u arrestua dhe me urdhër të prokurorit u dërgua në mbajtje për 48 orë, ku gjatë kësaj kohe është parashtruar edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, me ç’rast 45-vjeçarit dje i është shqiptuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 6 muajsh, ndërsa bashkëshortja e tij ka shkuar të jetojë te familja e saj.

Lexo edhe:  Nëse shihni këtë person, lajmëroni menjëherë Policinë - po kërkohet për një vepër grabitçare